Sunday, 4 December 2016

Delja Dolly

Dele skoceze fytyrëzezë. [2]
Delet kanë qenë pjesë e peisazhit natyror të Skocisë për shumë shekuj. Delet Finn Dorset dhe delet skoceze fytyrëzeza janë disa nga llojet më të përhapura në këtë shtet. Çdo pranverë, lindin qengjat e ngjizur gjatë vjeshtës; ata rriten shpejt dhe disa bëhen pjesë e tufës, disa shkojnë në thertore. Në vitin 1997, erdhi në jetë një qengj i veçantë. Ky qengj, i quajtur Dolly, nuk kishte baba, por tre nëna; për më tepër, gjenet e saj ishin identike me ato të njërës prej nënave të saj. Me një fjalë, Dolly ishte një klon.

Delja Dolly ishte klon i një Finn Dorseti.
Shkencëtarët e Institutit Roslin në Edinburgh, Skoci, e prodhuan Dollyn duke bashkuar një vezë nga një dele fytyrëzezë (nëna që dhuroi vezën) me një qelizë nga gjiri i një deleje Finn Dorset (nëna që dhuroi materialin gjenetik). Materiali gjenetik në vezën e përdor ishte hequr para bashkimit me qelizën e gjirit. Më pas, qeliza e prodhuar u stimulua për t'u ndarë. Ajo prodhoi një embrion, i cili u vendos në mitrën e një deleje tjetër fytyrëzezë (nëna bartëse). Embrioni u rrit dhe u zhvillua, dhe kur shtatzania mbaroi, u lind Dolly.

Bërthama qelizore që
injektohen në qelizë.
Teknologjia që u përdor për të prodhuar Dollyn u zhvillua pas një shekulli kërkimi shkencor rreth shumimit qelizor. Zakonisht, një vezë nga femra fertilizohet nga një spermatozoid nga mashkulli, dhe zigota e prodhuar shumohet duke prodhuar qeliza gjenetikisht të njëjta. Më pas, këto qeliza shumohen për të formuar një organizëm shumëqelizor. Në këtë organizëm, një grup i veçantë qelizash merr një rrugë të veçantë shumimi për të prodhuar qeliza riprodhuese të specializuara-vezë ose spermatozoidë. Një vezë nga një organizëm i tillë bashkohet me një spermatozoid nga një organizëm tjetër për të formuar një pasardhës. Pasardhësi rritet dhe cikli vazhdon, gjeneratë pas gjenerate. Por krijimi i Dollyt, gjitarit të parë të klonuar, u realizua duke e anashkaluar krejtësisht këtë proces.



Referenca:
1. Genetics, International Students Version, Sixth Edition. D. Peter Snustad, Michael J. Simmons. Wiley, 2012.
2. The Blackface Sheep Breeders Association. <http://www.scottish-blackface.co.uk>

No comments:

Post a Comment